Rezultati mbi Cilësinë e të Dhënave në Pemën Familjare mund t’ju japë siguri për burimet dhe informacionin rreth paraardhësve tuaj. Ai mund t’ju ndihmojë të zbuloni hapësira për përmirësim ose t’ju sinjalizojë rreth gabimeve dhe mospërputhjeve në pemën tuaj familjare.
Algoritmet tona i analizojnë imtësisht të dhënat që lidhen me një person te Pema Familjare, dhe kryejnë qindra kontrolle të hollësishme. Disa probleme që mund t’i shihni të theksuara, përfshijnë gjëra të tilla si:
- Një fëmijë qe lindur para se të lindej nëna e vet
- Emri i një personi nuk përkon me emrin te një burim që i është bashkëlidhur
- Një personi i mungojnë burimet e etiketuara te lindja e tij/saj
Shpresojmë që kjo veçori do t’ju duket e dobishme ndërsa përpiqeni ta përmirësoni saktësinë e pemës suaj familjare.
Pyetje që Bëhen Rëndom
Pse Rezultati mbi Cilësinë e të Dhënave del që “Nuk Është në Dispozicion”?
Treguesi i cilësisë shfaqet vetëm te faqet që janë për paraardhësit me të dhëna që përkojnë me njërin prej segmenteve vijuese për lindjen:
- Kanada 1800–1920
- Europa Kontinentale 1800–1920
- Irlandë 1800–1844
- Irlandë 1845–1863
- Amerika e Veriut 1700–1799
- Meksikë 1800–1866
- Meksikë 1867–1920
- Mbretëria e Bashkuar 1800–1920
- Shtetet e Bashkuara 1800–1920
- Amerika e Jugut 1800–1920
A ka plane për përkrahje të segmenteve të tjera për lindjen?
Si fillim, i kemi kufizuar vendndodhjet dhe periudhat e lindjes të cilat përkrahen. Pas përmirësimit të algoritmit në bazë të përshtypjeve prej përdoruesve, do të shikojmë mundësinë për të përkrahur vendndodhje dhe periudha të tjera të lindjes.
Si mund ta vlerësoni mesatare gjyshen time?!
- Rezultati mbi cilësinë e të dhënave nuk përfaqëson një gjykim për karakterin e gjyshes suaj
- Rezultati mbi cilësinë e të dhënave nuk përfaqëson një gjykim për aftësinë tuaj si gjenealog
- Rezultati mbi cilësinë e të dhënave thjesht përpiqet të bëjë një përmbledhje mbi cilësinë gjenealogjike të të dhënave të saj
Po sikur paraardhësi/ja im/e të përbëjë një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm?
Ka të ngjarë që disa probleme që i vëmë në dukje, të mos gjejnë zbatim për paraardhësin/en tuaj.
Disa raste jashtë të zakonshmes që i kemi parë, përfshijnë:
- Personi me të vërtetë pati 15 fëmijë
- Një emër te një burim i bashkëlidhur qe indeksuar në mënyrë të pasaktë
- Nëpunësi regjistroi një datë të pasaktë te burimi origjinal
- Në të vërtetë personi nuk kishte lindur në qytet, thjesht në një qark rural
- Një paraardhës/e e shtrembëroi të vërtetën kur regjistroi moshën
Në kësi lloj rastesh, mos ngurroni t’i shpërfillni problemet duke klikuar tek teksti i problemit, pastaj duke klikuar te butoni Hiqe.
Si t’i jap përshtypjet?
Përshtypjet për Rezultatin mbi Cilësinë e të Dhënave mund të jepen te Komuniteti i programit FamilySearch: https://community.familysearch.org/en/group/323-data-quality-score-feedback
(Do t’ju kërkohet të bashkoheni me grupin e komunitetit përpara se të jepni përshtypjet.)