Nëse keni prejardhje nga Kina, Japonia ose Korea, mund të gjeni gabime të papritura tek datat që janë caktuar për ngjarjet e jetës së paraardhësve/eve tuaj/a. Ja përse:
- Të dhënat e reja dhe teknologjia më e mirë nxjerrin në pah dokumentet e përsëritura te Pema Familjare. Dokumentet e përsëritura janë për të njëjtin person por mund të përmbajnë informacion të përllogaritur ndryshe.
- Kur është e mundur, FamilySearch përpiqet t’i ndërthurë dokumentet e përsëritura të tempullit në një dokument të vetëm. Ky proces quhet bashkim.
- Nëse dokumentet e përsëritura përmbajnë data të ndryshme për të njëjtën ngjarje të jetës, dokumenti i bashkuar rishtas te Pema Familjare tregon atë datë që ishte dorëzuar më së fundi. Nganjëherë dorëzimi më i fundit është i gabuar.
- Frekuentuesit i ftojmë t’i korrigjojnë gabimet kur i hasin. Sigurohuni që të përfshini një burim ose deklarim arsyeje kur ta bëni këtë.
Sa vijon shpjegon më me hollësi se si ndodhin këto gabime dhe si t’i trajtoni ato sa më mirë.
Shpjegimi i gabimeve
Në vendet ku e drejta e hyrjes te dokumentet historike është e kufizuar, frekuentuesit e programit FamilySearch ndonjëherë i kanë përllogaritur datat e ngjarjeve më të rëndësishme të jetës së paraardhësve/eve të tyre. Kështu ka qenë përherë për frekuentuesit me prejardhje kineze, japoneze dhe koreane.
Përveç këtyre, me kalimin e viteve, shumë njerëz duke punuar në mënyrë të pavarur nga njëri‑tjetri, kanë krijuar dokumente të shumta në Pemën Familjare, të gjitha këto për të njëjtin person. Këto quhen dokumente të përsëritura dhe ndonjëherë përmbajnë informacion kontradiktor.
Kur është e mundur, programi FamilySearch përpiqet t’i gjejë dokumentet e përsëritura dhe t’i bashkojë në një dokument të vetëm. Megjithatë, nëse ka përplasje me datat nga dokumentet që po bashkohen, sistemet tona duhet të vendosin se cilën datë të shfaqin te dokumenti i bashkuar. Aktualisht, sistemet tona zgjedhin datën që është dorëzuar më së fundi në Pemën Familjare.
Sigurisht që data e dorëzuar më së fundi mund të jetë gabim. Ne e dimë këtë dhe madje i kemi shenjuar disa dokumente në Pemën Familjare si dokumente që përmbajnë probleme me të dhënat. Shpresojmë që do ta gjeni kohën për t’i korrigjuar këto gabime kur t’i hasni.
Përpjekje në ekip
Sa herë që të bëni një korrigjim, sigurohuni që të jepni një burim nëse mundeni, ose të paktën një deklarim arsyeje të formular qartë që do ta vërtetojë ndryshimin tuaj. Nëse e bëni këtë, përdoruesit e tjerë që mund ta vënë në dyshim ndryshimin, do të kenë më pak të ngjarë ta modifikojnë ose ta zhbëjnë atë.
Kur programi FamilySearch renditet si një kontribues
Para vitit 1994, kartat e emrave që dorëzoheshin për ordinancat e tempullit në tempujt kinezë, japonezë dhe koreanë, përgatiteshin me dorë. Ndonëse informacioni për ordinancat që përmbahej në ato karta, është ruajtur me kujdes, emrat e kontribuesve nuk janë ruajtur. Kjo mund të bëjë që frekuentuesit e programit FamilySearch sot të shohin emrin “FamilySearch” të renditur si kontribuesi për një pjesë të caktuar të informacionit.