“Ne jemi këtu për të diskutuar se si mund të ndihmojmë, veçanërisht anëtarët tanë të rinj dhe anëtaret tona të reja, që të kenë një përvojë të mrekullueshme pak pasi janë pagëzuar në Kishë”, – tha Plaku Nil L. Andersen.
Në shkurt të vitit 2024, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nxori një sesion Udhëzimi për Udhëheqjen mbi Tempullin dhe Historinë Familjare drejtuar anëtarëve dhe udhëheqësve të Kishës. Një grup prej 6 udhëheqësish të lartë të Kishës u mblodh së bashku për të diskutuar mbi bekimet që mund t’u sjellë tempulli anëtarëve të rinj – si të rinjve dhe të rejave në Kishë, edhe të rinjve e të rejave në moshë dhe gjithashtu anëtarëve që po kthehen në aktivitet. Ata gjithashtu paraqitën një mjet të ri, që u mundëson udhëheqësve dhe personave të tjerë t’i ndihmojnë anëtarët që do të bëjnë pagëzime me mëkëmbës, të përgatitin shpejt dhe lehtë karta të emrave të familjes për në tempull.
Materiali i plotë filmik i udhëzimit për udhëheqjen dhe udhërrëfyesi shoqërues i diskutimit janë në dispozicion në disa gjuhë në këndin e Kishës në internet. Më poshtë mund të lexohet më shumë rreth Udhëzimit për Udhëheqjen për Vitin 2024 (përfshirë një përmbledhje të materialit filmik).
Pyetje të Zakonshme rreth Udhëzimit për Udhëheqjen
Klikoni ose prekni me gisht te teksti në këtë pjesë për të parë përgjigjet e disa pyetjeve të zakonshme.
Për t’u ardhur në ndihmë këtyre bashkëbisedimeve, një udhëzues i diskutimit është në dispozicion në 23 gjuhë.
Ata që kanë thirrjet në vijim, janë veçanërisht të ftuar që ta shikojnë, diskutojnë dhe të veprojnë së bashku:
- Këshilluesit zonalë për tempullin dhe për historinë familjare
- Presidencat e kunjeve, të misioneve dhe të distrikteve
- Anëtarët e këshillave të kunjeve dhe lagjeve dhe presidencat e tyre
- Udhëheqësit e misionit të lagjeve dhe misionarët
- Udhëheqësit e lagjes për tempullin dhe historinë familjare
- Këshilluesit e kunjeve dhe lagjeve për tempullin dhe për historinë familjare
- Presidencat e klasave të Të Rejave
- Presidencat e kuorumeve të Priftërisë Aarone
Një Përmbledhje e Shkurtër e Udhëzimit për Udhëheqjen për Vitin 2024
Më poshtë është një përshkrim i disa prej mesazheve nga udhëzimi për udhëheqjen, që t’ju ndihmojë të krijoni një ide mbi atë që diskutohet. Këto nuk janë të gjitha mesazhet e dhëna në udhëzim, kështu që i nxitim së tepërmi lexuesit që ta shikojnë edhe materialin filmik.
Vizitat në Tempull Mund të Ndihmojnë në Bekimin e Anëtarëve – Por Ata Kanë Nevojë për Ndihmën Tonë
“Ne shpresojmë që tempulli do të jetë pjesë më aktive në jetën e të gjithë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme”, – tha Plaku Andersen në udhëzimin për udhëheqjen, por ai e përqendroi diskutimin në mënyrë specifike tek anëtarët e rinj. “Si i ndihmojmë ata në ato javët e para fare?” – pyeti ai.
Motra Porter vuri në dukje se kur jeni anëtar i ri në Kishë, mund të vini vetëm në Kishë dhe mund të “ndiheni sikur po filloni një jetë të re”. Ajo shprehu se të pasurit e mundësisë për të shkuar në tempull gjatë kësaj faze të hershme të anëtarësisë suaj dhe marrja pjesë në një ordinancë kaq të rëndësishme në shtëpinë e Zotit, mund “t’ju ndihmojë të ndiheni pjesë e punës së madhërishme të Kishës, ndonëse jeni të rinj në ungjill”.
Plaku Dankan shprehu se Zoti po i mirëbeson udhëheqësit që t’i ndihmojnë këta anëtarë të rinj për në shtëpinë e Tij. Motra Ji tregoi një përvojë që pati me një anëtare të re së cilës i dha shërbesë, ku dëshmoi se si e gjithë lagjja u mblodh rreth saj për ta ndihmuar të përgatitej e ta frekuentonte tempullin, gjë që u solli bekime të gjithë atyre.
Për Anëtarët e Rinj, Çuarja prej Tyre e Emrit të Familjes për Herë të Parë Mund të Jetë më e Thjeshtë nga sa e Mendojmë Ne
Ata që ishin në këtë grup, diskutuan mbi atë se si çuarja e një emri në tempull për herë të parë zakonisht nuk duhet të jetë një problem pune kërkimore gjenealogjike për anëtarët e rinj, por mund të jetë një përvojë e thjeshtë dhe e bukur. “Shumica e të kthyerve të rinj në besim dëshirojnë që të pagëzohen për një anëtar të familjes në tempull, … shpesh herë është një gjysh/e”, – tha Plaku Hamilton. “Ata tashmë e dinë në mendjen e tyre se cili është personi për të cilin dëshirojnë ta kryejnë atë ordinancë.”
Këta udhëheqës diskutuan më tej për rëndësinë e të pasurit të një personi pranë për t’i ndihmuar ta përgatisin atë emër, gjë që mund të bëhet posa rekomandimi i tyre nënshkruhet nga peshkopi. “Ne e kemi thjeshtuar procesin e realizimit të kësaj”, – shtoi Plaku Gong.
Siç shpjeguan anëtarët e diskutimit në grup, një burim i ri është tashmë në dispozicion për peshkopët ose për personin të cilit peshkopi i kërkon që të japë ndihmë. Me mesazhe nxitjeje të thjeshta, mjeti i jep mundësi një personi ta ndihmojë një anëtar të ri, përfshirë për të krijuar një llogari në programin FamilySearch, për të përgatitur një emër të familjes dhe për të rezervuar një ordinancë. (Mësoni më shumë mbi mjetin këtu.) Krahas një mjeti më të thjeshtë, të bërit që kjo përgatitje të jetë një përvojë më vetjake, mund të ndihmojë që ajo të duket më pak si një proces teknik.
Plaku Andersen foli rreth mënyrës se si ai dhe bashkëshortja e tij punuan fort për t’i ndihmuar fëmijët e tyre që të shkonin në tempull pikërisht javën që mbushnin 12 vjeç dhe për ta bërë atë një përvojë të spikatur, pavarësisht se tempulli ishte larg tyre. Prindërit dhe udhëheqësit mundet që, në një mënyrë të këndshme, t’i ndihmojë anëtarët të shkojnë në tempull sa më shpejt që të jetë e mundur. Për 11‑vjeçarët dhe anëtarët e rinj, ajo është një përvojë që nuk do ta harrojnë kurrë.
“Kjo do të jetë përherë një përvojë hutuese për anëtarin e ri”, – porosit Plaku Dankan, duke sugjeruar mënyra se si mund të ndihmojmë që ajo të jetë sa më pak e tillë. Siç e përmendi më tej Plaku Gong: “Kyçi është mundësia për të shkuar për të qenë me Zotin dhe … për të bërë besëlidhje me Të”. Ai vijoi: “Si udhëheqës, si miq, si anëtarë, ne e thjeshtojmë atë proces sa më shumë që mundemi për ata që e provojnë atë për herë të parë”.
Bërja Përpara në Ungjill – Dhe Pritja me Padurim e Vizitës Suaj të Ardhshme në Tempull
Nga fundi i udhëzimit për udhëheqjen, Plaku Andersen përmendi se anëtarët janë përherë në lëvizje e sipër në ungjill, qoftë hap pas hapi përpara në të ose larg prej tij. Një përvojë ose lidhje e re shpirtërore mund t’i sjellë një përmasë krejt të re kthimit të tyre vetjak në ungjill. Duke folur për entuziazmin që ndiejnë njerëzit kur pagëzohen në fillim, Plaku Gong tha: “Ju mund ta keni atë përvojë në mënyrë të përsëritur”, sa herë që shkoni në tempull për të bërë pagëzime me mëkëmbës.
Edhe ata që jetojnë larg tempullit, ende mund të vënë qëllimin për të gjetur një emër dhe për ta çuar atë në tempull. Plaku Hamilton propozoi që një anëtar që jeton larg tempullit, ende mund të përgatitë një kartë të emrit të familjes dhe ta vendosë atë në një vend të dukshëm ku mund të shihet, si një kujtesë për të shkuar në tempull kur anëtari të jetë në gjendje. Motra Porter dhe Motra Ji shtuan se ata që nuk munden të shkojnë në tempull për një kohë të gjatë, mund t’ia shpërndajnë emrin e familjes personave të tjerë që jetojnë më afër dhe gjithashtu mund të studiojnë për tempullin dhe besëlidhjet që bënë në pagëzim, për t’iu afruar më shumë Shpëtimtarit.
Përfundimet
“Jetojmë në një kohë të pashembullt”, – tha Plaku Hamilton. “Ati Qiellor do të ishte më i kënaqur se kurrë që t’i shihte fëmijët e Tij në tempull, veçanërisht ata që janë të rinj dhe të brishtë në ungjill – anëtarët e rinj, të rinjtë e të rejat 11‑vjeçare … madje edhe ata që rikthehen në tempull.”
Në dëshminë e saj përmbyllëse, Motra Ji përmendi se “[Perëndia] dëshiron vërtet që fëmijët e Tij ta dinë se sa shumë Ai i do ata, nëpërmjet bekimeve të besëlidhjeve që Ai do t’u ofrojë atyre. … Ne kemi mundësinë të jemi pjesë e … procesit të prurjes së tyre tek Ai.”
Motra Porter tregoi përvojën e saj kur u pagëzua për gjyshen e babait të saj pasi u bashkua me Kishën. “[Tempulli] është Shtëpia e Zotit”, – tha ajo. “Ai është aty. Është shtëpia e Tij. … Është një vend i përkatësisë tek Ati ynë Qiellor, Biri i Tij dhe familjet tona – që sigurohet përjetësisht nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.”
Plaku Andersen e mbylli udhëzimin për udhëheqjen me një bekim apostolik. Në të, ai përmendi se “çdo orvatje e vogël në përpjekje për ta ndihmuar të kthyerin e ri në besim, fëmijën e ri të Atit tonë Qiellor që ka hyrë në ujërat e pagëzimit dhe për ta ndihmuar atë që të gjejë udhën e vet për te Shtëpia e Zotit, nuk do të bekojë vetëm atë person – ju premtoj se do t’ju bekojë dhe ju. Do të bekojë anëtarët e lagjes suaj. Besimi juaj te Jezu Krishti do të rritet.”
Udhëzimi për udhëheqjen, në total, është vetëm rreth 28 minuta i gjatë. Në një intervistë të dhënë pak pasi sesioni u vu në dispozicion, Plaku Hamilton tha se transmetimi buron nga frymëzim i thellë, këshillim i menduar e shpirtëror dhe është i udhëhequr nga Shpirti. Ai vuri në dukje se marrja e udhërrëfimit nga këshillimi i dhënë, mund të jetë një përvojë e mrekullueshme për të gjithë personat e përfshirë.
Në programin FamilySearch ne kujdesemi që t’ju lidhim ju me familjen tuaj, dhe ofrojmë përvoja argëtuese zbulimi dhe shërbime për historinë familjare pa pagesë. Përse? Pasi ne i çmojmë familjet dhe besojmë se lidhja e brezave mund ta përmirësojë jetën tonë tani dhe përgjithmonë. Ne jemi një organizatë jofitimprurëse e financuar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Për të mësuar më shumë rreth bindjeve tona, klikoni këtu.